Suspendohet stadiumi i Bashkimit, ndeshjen e ardhshme vendase kundër Vardarit jashtë Kumanovës!

Në bazë të raportit të delagatit nga ndeshja midis Bashkimit dhe Struga Trim Lum, që dje u zhvillua në Kumanovë dhe i takonte javës së 28-të, Komisioni i garave pranë FFM-së ka konstatuar shkelje të rënda të rendit dhe sigurisë pas përfundimit të ndeshjes, përcjellë “infOSport.mk”.

Konkretisht, pas përfundimit të ndeshjes, derisa delegati dhe ekipi i gjyqtarëve ishin ende në fushë, ndodhi një incident në të cilin lojtarët dhe përfaqësuesit e ekipit mysafir u sulmuan nga persona të afërt me klubin nikoqir dhe zyrtarët e ndeshjes.

Në këtë incident është përfshirë edhe personi me emrin Burak Hida, i cili nuk u regjistrua në procesverbal, i cili sulmoi fizikisht përfaqësuesin e ekipit mysafir, Miftar Shaqiri, duke e goditur me grusht në gjoks, që më pas të pasojnë edhe fyerje verbale dhe sjellje të papërshtatshme ndaj disa anëtarëve të ekipit mysafir.

Incidenti kishte zgjatur 10 deri në 15 minuta, që më pas falë ndërhyrjes së zyrtarëve të policisë, delegati dhe katër gjyqtarët e takimit në mënyrë të sigurt ishin vendosur në ambientet e tyre zyrtare të stadiumit.

Përveç kësaj, delegati i takimit kishte kërkuar një prani më të madhe policore, në mënyrë që ekipi mysafir të mund të largohej në mënyrë të sigurt nga stadiumi.

Në bazë të nenit 75-v dhe nenit 77-g të Rregullores së Garave të FFM-së, Komisioni i Garave ka vendosur të pezullojë fushën e stadiumit të Bashkimit në Kumanovë deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Njëkohësisht, po iniciohet procedurë disiplinore kundër klubit të FK Bashkimi 1947 Kumanovë dhe personit Burak Hida, ndërsa çështja do të dorëzohet për procedurë të mëtejshme para Komisionit Disciplinor të FFM-së.

“Federata e Futbollit e Maqedonisë në mënyrë kategorike dënon të gjitha format e dhunës dhe sjelljes së keqe dhe do të vazhdojë të zbatojë vazhdimisht rregulloret me qëllim mbrojtjen e integritetit të garës dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.” – thuhet në njoftimin e institucionit futbollistik të vendit tonë.

Leave a Reply