Maqedonia e pamëshirshme ndaj Gjibraltarit, 4:0 pas 45 minutave të para (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë ka harruar shumë shpejtë disfatën ndaj Gjeorgjisë, duke treguar një performancë të shkëlqyer sot përballë Gjibraltarit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt në kuadër të grupit 4 të Ligës “C”, njofton “infOSport.mk”.

Fati i “verdhekuqve”, që përballë  kanë një skuadër inferiore, që kapituloi në arenën “Todor Proeski” vetëm pas 4 minutave lojë.

Një goditje dënimi nga rreth 27-28 metrash, Enis Bardhi vendosi ta ekzekutojë, ndërsa të njëjtën e shndërroi në gol, pasi gjuajtja e tij ishte aq precize, sa që nuk i la fare hapësira portierit mysafir.

Pas eurogolit të Bardhit, në skenë doli ish sulmuesi i Renovës, Bojan Miovski, aktualisht pjesë e MTK Budapest, i cili brenda dy minutave shënoi dy gola.

Golin e tij debutues me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, Miovski e realizoi në minutën e 14-të, kur me kokë në tollovinë e shfaqur para portës mysafire shënoi për 2:0, ndërsa vetëm dy minuta më pas, duke përfituar nga  një devijim i topit nga ana e mbrojtësve të Gjibraltarit, shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Maqedoninë në këtë ndeshje.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar, pasi në minutën e 31-të, pas disa super kombinimeve, e që gjithçka ishte nën idejën e Bardhit, Çurlinov shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e mysafirëve, pasi mjaft mirë u shërbye para zonës së 5-metërshit nga ana e Todorovskit.

Është kjo paraqitja më bindëse e futbollistëve të përfaqësueses së Maqedonisë në një ndeshje zyrtare, në të cilën vetëm brenda 45 minutave shënojnë 4 gola. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. (infOSport.mk)

Leave a Reply