Goleadori i sezonit të kaluar, Adetunxhi ende në kërkim të golit të parë në LPFMV

Këtë fundjavë mbyllet raundi i parë i sezonit të ri në Ligën e Parë, ndërsa ajo që bie në sy, është se goleadori i edicionit të kaluar, Sandej Adetunxhi, ende nuk ka shënuar asnjë gol, njofton “infOSport.mk”.

Autori i 20 golave të shënuar edicionin e kaluar me petkun e FC Shkupit, këtë edicion në kampionat është paraqitur në vetëm 6 ndeshje nga gjithsej 9 të zhvilluara nga skuadra kampione, që me 15 pikë të tubuara renditet në pozitën e katërt, mirëpo shumë larg skuadrës kryesuese të Struga Trim Lum, që ka 25 pikë.

Ndoshta pikërisht mungesa e golave të Adetunxhit kanë ndikuar edhe në ecurinë e klubit nga Çairi, që të dielën ka provën kryesore kundër skuadrës strugane. Një fitore do të mbante ata në garë për titullin e kampionit, në të kundërtën shumë e vështirë do të ishte të mendohej se FC Shkupi do të mbronte titullin e kampionit. Ndeshja ndaj Struga Trim Lum mund të jetë edhe një kthesë për vetë sulmuesin Adetunxhi, i cili kishte shënuar vetëm në ndeshjen e Kupës kundër Bellasicës, kur janë në pyetje ndeshjet nga futbolli vendor.

Ndryshe Adetunxhi, me 3 gola të shënuar, rezultoi të jetë golashënuesi më i mirë i FC Shkupit në aventurën europiane të këtij edicioni, në të cilën skuadra nga Çairi arriti deri në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës, ku u eliminua nga skuadra kampione e Kosovës, Ballkani. (infOSport.mk)

Leave a Reply