Endrit Krasniqi konfirmon largimin nga Prishtina, e presin te Shkëndija!

Një prej futbollistëve më të mirë në futbollin e Kosovës, Endrit Krasniqi ka konfirmuar largimin nga Prishtina, me të cilën skuadër mbrëmë fitoi Kupën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”.

“Ka qenë kënaqësi të jem pjesë e Prishtinës. Kam kontratë deri më 30 qershor, por me shumë mundësi nuk do të jem më këtu. Shpresoj ta shoh sa më lartë klubin”, ka thënë Krasniqi, emri i të cilit lidhet ngushtë me një kalim të mundshëm te Shkëndija.

Tashmë fjalën kryesore për transferimin e tij te “kuqezinjtë” nga Tetova e ka trajneri Ardian Nuhiu, i cili njeh mirë kualitetet e mesfushorit 28-vjeçar, i cili pjesë e Prishtinës është që nga viti 2014, por që vazhdimisht ishte huazuar te Drita, që në vitin 2017-të si transfer i lirë të transferohet te skuadra gjilanase, aty ku për disa muaj ishte vënë nën urdhërat e trajnerit shkupjan, Nuhiu.

Ndryshe në 3 vitet e fundit me Prishtinën, Krasniqi arriti të fitojë dy trofetë e Kupës, gjë të cilën në vitin 2018-të e kishte bërë edhe me Dritën.

Mesfushori me tipare sulmuese edicionin e fundit me Prishtinën zhvilloi 29 ndeshje, duke regjistruar 9 gola dhe 6 asistime. Krasniqi te Shkëndija shihet si zëvendësues i Ferhan Hasanit, i cili ditë më parë u prezantua në Danimarkë te skuadra e Helsingor. (infOSport.mk)

Leave a Reply