Shqiptari dikur kampion Bote, mbetet pa skuadër!

Shkodran Mustafi është një lojtar i lirë. Futbollisti shqiptarë me origjinë nga Gostivari duhet të kërkojë një skuadër të re, për të vijuar karrierën e tij.

Mustafi i cili përfaqësoi Gjermaninë në arenën ndërkombëtare dhe u shpall Kampion Bote në vitin 2014, nuk ia ka dalë të lërë shenjë në vitet e fundit që pas largimit nga Arsenali në vitin 2021.

Transferimi te Shalke 04 ishte një dështim, ashtu si edhe ai më pas te Levante ku në dy sezone me fanellën e skuadrës nga Valencia ka luajtur vetëm 14 ndeshje në kampionatin spanjoll, si pasojë e dëmtimeve apo zgjedhjeve teknike.

Kësisoj, me mbylljen e marrëveshjes ekzistuese me klubin valencian, Levante bëri të ditur se nuk do të rinovonte kontratën me 31-vjeçarin.

Tanimë Mustafi do të jetë një futbollist i lirë për të zgjedhur të ardhmen e tij, teksa mendohet një rikthim në Gjermani apo një tjetër aventurë spanjolle.

Por fillimisht, Mustafi duhet të gjejë edhe një herë formën e tij më të mirë, që e ka penalizuar ndjeshëm në vitet e fundit në karrierën e tij.

Leave a Reply