Në Danimarkë por rritet një yll i ri i futbollit, prezantojmë Donart Bexhetin

Sulmues i talentuar që luan në qendër, si dhe në krahë të repartit ofenziv po rritet në Kopenhagen të Danimarkës, derisa në moshë shumë të re është kyçur në ekipin e parë të Helsingor, si dhe ka marrë ftesë për tu bashkuar me moshat e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. 

Populli shqiptar historikisht është përballur me situata jetësore që jo pak njerëz për arsye nga më të ndryshmet kanë detyruar të zgjedhin rrugën e mërgimit. Sot, disa dekada më vonë prej fillimit të kësaj “prakse”, realiteti ynë është se si komb jemi të pranishëm gjithandej. Nuk gjen vend ku s’ka shqiptarë dhe jo vetëm kaq, pasi tashmë nuk na gjen do kudo, por edhe në pozita të rëndësishme e në fusha suksesi. Shqiptarët më s’janë vetëm punëtorë krahu, apo shembull për të keq. Po bëhemi të rëndësishëm, të suksesshëm dhe reklamë për kombin tonë. Po pra, fatkeqësinë për të qenë të shkapërderdhur nëpër botë, e kompensojmë me kënaqësinë që të gjithë dijnë për ne si model suksesi përmes sakrificës, insistimit, punës e disiplinës.

Nga shumë e shumë raste, po prezantojmë sot djaloshin 17-të vjeçar nga Shemshova e Tetovës, Donart Bexheti. Në moshë shumë të re ai tashmë është pjesë e ekipit të parë të skuadrës daneze FC Helsingor dhe jep shenja shumë pozitive për një yll të futbollit në ardhje. Donarti ka lindur në Tetovë dhe me futbollin u njoftua te Shkëndija që nga mosha 6 vjeç.

Si 13 vjeç (2019) duhej të shkëputet nga vendi i lindjes, për një bashkim familjar në Danimarkë ku vite më parë ishte vendosur babain e tij për sigurimin e një jete më të mirë.

Prej kur mbaj mend për veten unë jam shoqëruar nga një top futbolli dhe isha shumë i vogël kur familja më regjistroi te Shkëndija. Kam mësuar shumë nga trajnerët aty dhe jam shumë falemenderues gjithë trajnerëve” flet për fillimet e tij Donarti.

Shpërngulja në Kopenhagë nënkuptonte një fillim komplet të ri për Donartin. Vendi, shkolla, shokët, padyshim edhe futbolli sepse në asnjë moment nuk kishte ardhur në shprehje ndarja me sportin e tij të dashur.

Ishte ndryshim i madh për mua. Gjithçka e re, çdo gjë niste nga fillimi. Barriera e gjuhës, miqtë, në shtëpi, në shkollë, thjesht gjithkund. Ishte shumë e vështirë, por unë në kokë kisha një gjë, të më japin shans të stërvitem sepse kur do isha në fushë futbollit do të gjendesha në terren të njohur, aty do flisja me gjuhën e futbollit dhe aty me siguri do ja dilja”, shtoi tetovari.

Babai Bujari, do ta regjistronte Donarti te moshat e ekipit lokal, FA 2000 (Frederiksberg Alliancen), e ku duke u zhvilluar si futbollist në vitin 2022 në një ndeshje të Kupës së Danimarkës për moshat U17, Donart Bexheti shkëlqeu duke shënuar 3 gola përballë FC Helsingor, duke kualifikuar ekipin e tij FA në fazën pasardhëse. Kaq mjaftoi të nga tabori i FC Helsingor të bien në “dashuri” me shqiptarin, duke arritur ta bindin të transferohej në radhët e tyre.

Ftesa nga Helsingor paraqiste avansim në karrierë për mua dhe u desh pak të mendojmë për të pranuar. Fatmirësisht deri tani gjërat kanë ecur mirë dhe jam i lumtur që jam pjesë e këtij klubi”, shton ai.

Dajloshi me një fizik admirues po zhvillohet sipas planit dhe te Helsingori përveç skuadrës U19 sulmuesin e kanë kyçur edhe me ekipin e parë, derisa paraqitjet te klubi i tij nuk kanë ngelur pa tërhequr vëmendjen e përfaqësueseve të reja të Maqedonisë së Veriut ku djaloshi ka marrë ftesë dhe do të bashkohet për ndeshjet e radhës.

Sigurisht se për mua paraqet vlerësim ftesa nga përfaqësuesja e Maqedonisë. Besoj të marr shans për të luajtur dhe të dëshmoj në fushë se nuk kanë gabuar që kanë besuar”, thotë me modesti Donarti, që duket se më shumë pëlqen të flasë në terren.

E aty deri tani po flet goxha mirë, potenciali dhe puna që bën janë garanci për një talent serioz, ndërsa nëse gjërat ecin sipas planit, Donart Bexheti është ylli i radhës shqiptar i cili pritet të pushtojë terrenet e futbollit në Danimarkë e jo vetëm.

Leave a Reply