Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, gjatë ditës së sotme ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Fluid projekt” për realizimin e projektit të rikonstruktimit të stadiumit të Çairit, një investim ky me rëndësi të veçantë për zhvillimin e infrastrukturës sportive në komunë.
Ky projekt parashikon vendosjen e barit artificial të gjeneratës më të fundit, të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe intervenime në infrastrukturën ndihmëse të stadiumit, duke përfshirë sistemin e ndriçimit, drenazhit dhe elemente shtesë që rrisin sigurinë dhe funksionalitetin për sportistët dhe publikun.
Punimet do të realizohen në një afat të përqendruar prej 45 deri në 60 ditësh, me synimin që stadiumi të jetë i gatshëm për sezonin e ardhshëm sportiv dhe të krijojë kushte moderne për klubet sportive dhe të rinjtë që zhvillojnë aktivitetet e tyre në Çair.
