Shqipëri-Angli, ndeshja më e shtrenjtë në histori, ja sa të holla përfitoi FSHF nga shitja e biletave!

Ndeshja midis Shqipërisë dhe Anglisë kishte pak rëndësi në aspektin e rezultatit, pasi të dyja kombëtaret që më parë kishin njohur fatin e tyre në kuadër të eliminatoreve për Botërorin e vitit 2026. Por megjithatë, për Federatën Shqiptare të Futbollit ka pasur një rëndësi shumë të madhe kjo ndeshje, pasi FSHF ka arkëtuar miliona euro vetëm falë biletave nga ndeshja në fjalë që kishte çmimet më të shtrenjta në histori sa u përket atyre të luajtura në tokën shqiptare.

Me një llogari të thjeshtë duke u bazuar mbi çmimet për sektorë dhe kapacitetin që kanë sektorët e ndryshëm që nxirren zakonisht në shitje nga FSHF, sipas përllogaritjeve të “Panorama Sport”, rezulton se janë arkëtuar rreth 169,498,000 lekë ose 1,753,995 euro.

Një shifër që del vetëm nga pak më shumë se 20 mijë bileta që nxirren zakonisht në shitje nga FSHF (përfshirë edhe sektorët e miqve).

Pjesa tjetër administrohen direkt nga institucioni i futbollit pa u nxjerrë në treg dhe sigurisht edhe prej tyre ka të ardhura kolosale.

Në përllogaritje janë pak më shumë se 2000 bileta me çmimin 2500 lekë, thuajse 11 mijë bileta me 3500 lekë, mbi 5800 bileta me 9000 lekë, thuajse 2000 bileta me 15000 lekë, nga 500 bileta me 25000 dhe 40000 lekë si dhe 198 bileta me 50000 mijë lekë.

Siç theksuam më lartë, ka bileta të ndryshme që nuk janë nxjerrë në shitje nga FSHF në sektorë të ndryshëm, apo edhe një sektor i tërë si VIP, biletat e të cilit janë zakonisht ato me çmime të paprekshme pasi janë vetëm 13 të tilla.

Kështu, për pak më shumë se 20 mijë bileta të përllogaritura me çmimet e tyre, rezulton se FSHF, e cila shpalli “sold out” stadiumin që në fillimin e javës, ka arkëtuar rreth 1,75 milionë euro.

Po t’u shtosh edhe vlerën e diferencës që çon pastaj në kapacitetin prej rreth 22 mijë vendesh të stadiumit, e kupton qartësisht që arkëtimet i afrohen, e ndoshta kalojnë 2 milionë eurot vetëm nga biletat.

Kaq mjafton për ta bërë këtë ndeshjen më të kushtueshme të historisë së futbollit në vendin tonë me diferencë të thellë nga çdo ndeshje tjetër. (Panoramasport)

Leave a Reply