Peroti vazhdon kontratën me Romën

E ardhmja e Diego Perotit është e lidhur ngushtë me Romën. Të paktën kështu raporton “Sky Sport”, sipas të cilëve argjentinasi me “ujkeshën romake” do të zgjasë kontratën deri në fund të qershorit të vitit 2021.

Kontrata e tij aktuale skadon qershorin e vitit 2019-të, mirëpo falë paraqitjeve të tij të mira drejtuesit e Romës nuk dëshirojnë ti lënë asgjë rastit dhe janë të gatshëm ti ofrojnë atij edhe një pagë më të madhe nga ajo që merr për momentin.

1.8 milion euro është paga e tij vjetore që merr te skuadra nga kryeqendra italiane, ndërsa me marrëveshjen e re, e njëjta do të jetë më e lartë për 300 mijë euro, dhe do të shkojë në 2.1 milion euro neto për sezon.

Mesfushori argjentinas, te Roma erdhi janarin e vitit 2016-të, duke arritur nga Xhenoa në një marrëveshje huazimi, e cila më pas u bë e përhershme për një tarifë të raportuar mbi 10 milionë euro.

Peroti sezonin e kaluar ka qenë njëri ndër futbollistët më standard te Roma, duke zhvilluar 32 ndeshje dhe duke realizuar 8 gola, teksa gjatë këtij sezoni në 11 ndeshje kampionale ka realizuar 3 gola.

Ai shënoi edhe në ndeshjen e fundit kundër Karabagut në Ligën e Kampionëve, kur falë golit të tij Roma shënoi fitore minimale 1:0 dhe në fund siguroi pozitën e parë në grupin “C”, duke lënë pas vetes kampionët e Anglisë, Çelzin.

 

Leave a Reply