KF Skupi gjenerata 2006 fitues i turneut ndërkombëtarë “Copa Maresma”

KF Skupi gjenerata 2006 (U11) ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke arritur që të triumfojë në turneun ndërkombëtarë të zhvilluar në Barcelonë të Spanjës, njofton “infOSport.mk”.

Ekipi i drejtuar nga strategu i palodhshëm, Bedri Saliu triumfoi në turneun e fuqishëm “Copa Maresma”, në të cilin morën pjesë gjithsej 145 ekipe nga Spanja, Anglia, Zvicra, Franca, Gjermania, Skocia, Shqipëria, Rumania, Belgjika, Iizraeli, Argjentina, Kazakistani dhe Moldavia.

Në këtë turne mjaft prestigjioz,  KF Skupi gjenerata 2006 zhvilloi gjithsej 6 ndeshje, duke shënuar po aq fitore me një gol-averazh impresionues, 43:7.

Fitoren më të thellë ata e arritën në ndeshjen e tyre të parë kundër skuadrës së Steauas nga Rumania, ndaj së cilës shënuan fitore me rezultatin 11:1.

Me të njëjtin ritëm ata vazhduan edhe në ndeshjen e dytë, duke mundur ekipin e Mexico, nga Meksika me rezultatin 7:1, ndërkohë në ndeshjen e tyre të tretë demoluan Tiranën e Shqipërisë me rezultatin 10:1.

Fitoren më të ngushtë, KF SKUPI e arriti ndaj skuadrës së Interkups nga Meksika, 4:3, për të vazhduar sigurtë rrugëtimin drejt finales së madhe pas fitores 5:1 ndaj JSG Untere Salm Br.

Kjo fitore u siguroi atyre finalen e madhe, ku përballë kishin skuadrën gjermane të JSG Pr.Vluyn/SV Neu. Edhe pse pritej ndoshta një ndeshje më e vështirë për djelmoshat e trajnerit Saliu, ata edhe në këtë përballje  ishin të shkëlqyeshëm duke mundur me rezultatin bindës 6:0 kundërshtarin e tyre gjerman, me ç’rast në fund me plotë meritë iu gëzuan trofeut në kuadër të turneut prestigjioz, “Copa Maresme”.

Përveç këtij trofeu, po nga rradhët e KF Skupit doli edhe futbollisti dhe njëherit golashënuesi më i mirë i turneut, Arbin Kurti, i cili në 7 ndeshje realizoi plotë 17 gola. Arbin Kurti ishte i pandalshëm për moshatarët e tij, duke shënuar në çdo ndeshje dhe duke treguar super talentin që posedon ky djalosh shkupjan, nga i cili presim shumë në të ardhmen, shkruan “infOSport.mk”.

Është ky trofeu i rradhës ndërkombëtarë për ekipin e KF Skupit që më herët kishte triumfuar edhe në kuadër të “Norway Cup” (viti 2006 vendi i parë, viti 2008 vendi i tretë) si dhe “Trofeo Mediterano” – Barcelonë, ku kishte triumfuar për katër vite me rradhë (2010,2011,2012,2013).

Leave a Reply