Pelisteri fitues i Kupës se Maqedonisë 2016/17 (VIDEO)

Trofeu i edicionit të 25-të të Kupës së Maqedonisë i takon Pelisterit të Manastirit, skuadër kjo e cila në finalen e madhe të zhvilluar në Strumicë mundi Shkëndijën, edhe atë vetëm pas ekzekutimit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta u mbyll me barazim pa gola.

Pelisteri ishte më me fat në ruletin e penalltive, duke arritur kështu deri te trofeu i dëshiruar pas plotë  16 viteve.

Ishte goleadori i Shkëndijës, Besart Ibraimi që humbi penaltinë  e parë, për të bërë një gjë të tillë më pas  edhe Besart Abdurrahimi në serinë e katërt, humbje kjo që u tregua edhe si vendimtare në disfatën e skuadrës tetovare, përballë asaj nga Manastiri, futbollistët e së cilës skuadër ishin më të disponuar për të goditur nga pika e bardhë, me përjashtim të brazilianit, Lukas Fereira që humbi penaltinë në serinë e tretë.

Në fund 4:3 ishte rezultati, që i siguroi skuadrës së Pelisterit pjesëmarrjen në Liga Evropa sezonin e ardhshëm.

Ndryshe për skuadrën nga Manastiri ishte ky  trofeu i dytë në historikun e tyre në kuadër të Kupës së Maqedonisë, pasi një gjë të tillë kishin bërë edhe para 16 viteve, kur në Shkup kishin mundur ish ekipin e Slloga Jugomagnatit.

Kujtojmë që gjatë zhvillimit të ndeshjes, arbitri Stravrev ndërpreu ndeshjen në minutën e 55-të, për shkak të fyerjeve në baza nacionale nga ana e dy tifo grupeve të tifozëve.

Leave a Reply