Shkëndija humbi Kupën, Renova Evropën!

Humbja e Shkëndijës në finale të Kupës së Maqedonisë nga Pelisteri, rezultoi me fat të keq edhe për Renovën të cilët në këtë mënyrë thuajse i humbën gjasat dhe shpresat për dalje në Evropë. Formula e ndjekur nga ana e  “gjipspunuesve” , dështoi në fund, me Pelisterin që prishi matematikat e Renovës, duke fituar trofeun e Kupës së Maqedonisë.

Vendi i katërt në tabelë që po e “zotëron” aktualisht Pelisteri, siguronte dalje në Evropë, vetëm nëse Shkëndija e fitonte Kupën, pasi këta të fundit skënën evropiane e kishin më se të rezervuar me vendin e dytë në tabelë. Mirëpo me fitimin e Kupës nga ana e Pelisterit, tashmë në dispozicion ngelet vetëm vendi i dytë dhe i tretë që siguron rrugëtimin në eliminatoret e Liga Europës.

Në vend të dytë ndodhet Shkëndija me 65 pikë, ndërsa në të tretin qëndron Rabotniçki me 53 pikë, apo 5 më shumë se Renova që ndodhet në vendin e 5-të në tabelë edhe atë 3 xhiro para fundit të kampionatit.

Rabotniçki këtë fundjavë luan me Shkëndijën, që më pas në dy xhirot e fundit të takohet  me Pobedën dhe Bregallnicën, ndërsa Renova deri në fund do të përballet me Vardarin, Shkëndijën dhe Pobedën.

Në këndvështrim duket tejet e vështirë arritja objektivit për skuadrën nga Xhepçishti, mirëpo në futboll gjithçka është e mundur dhe mbetet të shihet deri në fund gara e zjarrtë për skenën evropiane./“InfOSport.mk”

Leave a Reply