Andre Silva kalon me sukses kontrollet mjekësore te Milani

Ylli portugez, Andre Silva mund të llogaritet si një futbollist i ri i Milanit. Sulmuesi i Portos i ka kaluar me sukses kontrollet mjekësore ditën e sotme në Milanelo, teksa çdo gjë ka shkuar më së miri nën kujdesin e stafit mjekësor.

Pas testeve mjekësore, sulmues portugez ka kaluar me sukses edhe testet fizike në qëndrën stërvitore duke shtuar akoma më shumë optimizmin e këtij transferimi, ku të gjithë në Milano e presin me padurim.

Tani mbetet për t’u hedhur vetëm firma në kontratë, e cila është thjesht një formalitet dhe më pas do të vijë prezantimi zyrtar me fanellën kuqezi për Andre Silvën që cilësohet si një nga sulmuesit më të fortë evropian për momentin.

Andre Silva ka bërë një sezon të shkëlqyeshëm me Porton. Ai gjatë sezonit të kaluar zhvilloi gjithsej 44 ndeshje me fanellën e “dragonëve”, duke regjistruar plotë 21 gola, 5 prej të cilëve në 10 ndeshje të zhvilluara në Ligën e Kampionëve Evropian.

Përveç këtyre shifrave impresionuese me fanellën e Portos, Silva edhe pse vetëm 21 vjeçar, po shkëlqen edhe me fanellën e kombëtares së Portugalisë, për të cilën kombëtare në 8 ndeshje ka shënuar 7 gola, përfshirë këtu edhe tripletën në ndeshjen e tij debutuese si dhe golin nga ndeshja e së shtunës ndaj Letonisë, në të cilën ndeshje “luzitanët” kishin shënuar fitore me rezultatin 3:0.

Leave a Reply