Formacioni i frikshëm i Milanit për sezonin 2017/18 (FOTO)

Milani me drejtuesit e rinj kinez po duket më ndryshe. Skuadra që ka vite që nuk po luan rol të rëndësishëm në futbollin italian dhe atë evropian, është e vendosur që më në fund të rikthejë lavdinë.

Drejtuesit e rinj kanë investuar tashmë më shumë se 100 milionë euro, për katër super përforcimet e para si ato të qendërmbrojtësit argjentinas Mateo Musakio (Viljareal), mbrojtësit anësor Rikardo Rodrigez (Volfsburg), mesfushorit Frank Kesie (Atalanta) dhe sulmuesit portugez Andre Silva, për shërbimet e të cilit Milani i pagoi Portos plot 38 milion euro.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra kur janë në pyetje transferimet në këtë klub.  Aq më pak kur emra të shumtë po qarkullojnë se mund ti bashkohen 18 herë kampionit të Italisë, në ditët e ardhshme.

Në mesin e emrave të dëshirave të trajnerit Vinçenco Montella, qarkullojnë futbollistë të dëshmuar sikurse mesfushorët Lukas Bilja e Borja Valero, apo edhe të mbrojtësit të djathtë të Atalantas, Andrea Konti, i cili sapo la pas një edicion të përkryer me skuadrën nga Bergamo në Serie A.

Ndërkohë sa i përket repartit të sulmit, emri më i ri që ka dalë në skenë, është ai i sulmuesit kroat të Fiorentinës, Nikola Kaliniç.

Sulmuesi 29 vjeçar janarin e kaluar ishte shumë afër largimit në drejtim të kampionatit kinez, mirëpo tash përmes drejtuesve kinez të Milanit, ai po tentohet të sillet në “San Siro”, ku do të kontribonte në planet e reja të drejtuesve të ri të Milanit.

Kështu me futbollistët e deritanishëm të transferuar nga ana e “kuqezinjëve” dhe atyre që janë piketuar, Milani sezonin 2017/2018 do të zbres në fushë me një super formacion, i cili do të mund të luftonte më në fund edhe për titullin e kampionit, që viteve të fundit është betonuar nga ana e Juventusit.

Leave a Reply