Parma rikthehet në Serie “B” (VIDEO)

Ish skuadra kampione e Kupës së UEFA-s, Parma vazhdon renesansën e saj. Klubi italian gjatë marsit të vitit2015-të falimentoi, ashtu që duheshe të nis gjithçka nga kategoritë më të ulëta italiane. Vetëm brenda dy viteve ata arritën që të ngjiten në “Serie B”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë rikthimin e tyre të fuqishëm.

Në ndeshjen e drejtpërdrejtë për një vend në “Serie B” gjatë sezonit të ardhshëm, skuadra fituese e Kupës së UEFA-s nga vitet 1995 dhe 1999 mundi Aleksandrian me rezultatin 2:0.

Manuel Skavone me golin e shënuar në minutën e 11-të kaloi në epërsi Parmën, ndërkohë golin e sigurisë për skuadrën nga “Enio Tardini” e realizoi Manuel Noçiolini në minutën e 66-të.

Më shumë se 6 mijë tifoz të Parmës përkrahën skuadrën e tyre të zemrës nga tribunat e stadiumit “’Artemio Franki”, aty ku sonte u zhvillua ndeshja vendimtare për inkuadrim në “Serie B”.

Në sezonin e rregullt Parma u ndal në pozitën e dytë në “Lega Pro” – Grupi “C”, duke ngecur 10 pikë ndaj vendit të parë që u betonua nga skuadra e Venecias, e udhëhequr nga Filipo Inzagi.

Në anën tjetër kundërshtari i Parmës, Alesandria, humbi pozitën e parë në grupin e saj ndaj Kremonezes vetëm për shkak gol-averazhit më të dobët, ndërsa sonte humbi edhe rastin e artë që të ngjitet një rang të garave më lartë.

Në sezonin e ri në “Serie B”, skuadra e Parmës do të përballet me njohësit e vjetër nga elita si Peruxha, Bari dhe Bresha.

Leave a Reply