Përcaktohet orari i dy ndeshjeve, Mlada Boleslav-Skënderbeu

UEFA ka përcaktuar agjendën e dy ndeshjeve të vlefshme për turin e tretë eliminatorë të Liga Europa, midis Skënderbeut dhe çekëve të Mllada Boleslav.

Takimi i parë do të luhet më datë 27 korrik në tokën çeke, në stadiumin “Mestski” të qytetit me të njëjtin emër si skuadra e futbollit, Mllada Boleslav. Orari i përcaktuar për zhvillimin e kësaj ndeshjeje është ora 18:00.

Ndërkohë ndeshja e kthimit do të luhet më datë 3 gusht në Shqipëri, në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 20:00. Për këtë ndeshje dhe në vazhdim nëse do të ketë të tjera, korçarët do të duhet të “shtegtojnë” drejt Elbasanit duke qenë se stadiumi “Skënderbeu” në qytetin juglindor nuk i plotëson kushtet e kërkuara nga UEFA.

Klubi çek ka filluar menjëherë përgatitjet për takimin e parë duke publikuar informacionin në lidhje me biletat. Ato do të kushtojnë 150 koruna çeke, afërsisht 6 euro, dhe do të shiten gjatë tre ditëve të para të javës së ardhshme te biletaria pranë hyrjes kryesore të stadiumit “Mestski” nga ora 13:00 deri në orën 16:00.

Ndërkohë gjatë ditës së ndeshjes shitja e biletave do të fillojë në orën 16:30. Rikujtojmë edicionin e kaluar ishte Shkëndija që eliminoi në këtë fazë skuadrën e Mlada Boleslav, ndërsa shpresojmë se këtë vit një gjë të tillë do të bëjë edhe Skënderbeu.

Leave a Reply