Një ish i Shkëndijës bombardon Kukësin, i shënon 3 gola në miqësore

Ish futbollisti i  Shkëndijës së Tetovës, talenti kosovar, Meriton Korenica ka shkëlqyer në miqësoren e skuadrës së tij, Lirisë ndaj kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Kukësit, shkruan “infOSport.mk”.

Korenica realizoi “hat-trik” në barazimin 3:3 të skuadrës së tij, që tashmë udhëhiqet nga ish kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi.

Miqësorja e zhvilluar në Tiranë dhuroi një pjesë të parë të shkëlqyeshme, ku u shënuan 5 gola, me Korenicën i cili brenda 15 minutave të para realizoi dy herë në rrjetën e skuadrës verilindore.

Megjithatë kampionët e Shqipërisë, nuk u dorëzuan dhe që në pjesën e parë arritën të rikthejnë rezultatin në favor të tyre, falë “dopietës” së Gurit dhe një goli të shënuar nga ana e izraelitit, Naser.

Në pjesën e dytë të dy trajnerët, Milinkoviç i Kukësit dhe Shkëmbi i Lirisë, bënë shumë zëvendësime dhe loja po shkonte në favor të kampionëve të Shqipërisë, por miqtë nga Prizreni arritën të shënonin golin e barazimit në minutën e fundit të takimit, dhe sërish me autorë Meriton Korenica, i cili po dëshmon cilësitë e tij të larta prej një golashënuesi të spikatur.

Ndryshe bëhet fjalë për një futbollistë 19-vjeçar, i cili te Shkëndija erdhi në fundin e vitit 2015-të, mirëpo duke mos arritur të depërtojë në ekipin e parë.

Ai luante me të rinjët e Shkëndijës, ndërsa gjatë qëndrimit te skuadra tetovare, ai luajti në vetëm një ndeshje me ekipin e parë.

Shkëndija në sezonin e dytë e huazoi atë te Metalurgu, për të cilën skuadër zhvilloi 8 ndeshje, mirëpo më pas gjithçka morri fund dhe Shkëndija vendosi ta lë të lirë atë, me ç’rast Korenica vendosi të rikthehet në vendlindje, te skuadra e Lirisë së Prizrenit.

 

Leave a Reply