ZYRTARE, Anel Rashkaj prezantohet te Prishtina

Futbollisti kosovar, Anel Rashkaj edhe zyrtarisht është një futbollist i ri i Prishtinës. Rashkaj ka arritur marrëveshje dy vjeçare me klubin nga kryeqendra kosovare, e cila shpreson që këtë vit të rikthejë titullin në Prishtinë.

“Prej kohës së fundit që isha me Përfaqësuesen në Prishtinë, kemi rënë në kontakt me Prishtinën, kryetarin Remzi Ejupi e pastaj edhe me kryetrajnerin Arsim Thaqi dhe anëtarë tjerë të bordit. Pastaj mblodha informacione se si është gjendja e futbollit këtu. Pas kthimit në Suedi dhe pasi që kisha një pasqyrë të gjendjes këtu për gjithçka bisedova gjatë me familjen se si do të veproja. Në fund vendosa të kthehesha në Kosovë. Por, kisha edhe obligim të flisja me klubin, sepse kisha edhe një vjet e gjysmë kontratë. Aspak s’ka qenë vendim i lehtë, por në anën tjetër ishte vendim që e prisja shumë gjatë, sepse ka dhjetë vite që jam në futbollin skandinav. Unë jam rritur në Kosovë dhe normalisht që vendi yt të tërheq, dhe po ashtu dy fëmijët që i kam, doja të kem stabilitet më të gjatë familjar. Pra, për këto arsye Kosova do të ishte vendi më i mirë për mua”, – tha 27 vjeçari Rashkaj gjatë prezantimit të tij.

Kujtojmë që Rashkaj ishte kapiten i Përfaqësueses së Kosovës, për të cilën ka luajtur katër ndeshje, ndërsa te Prishtina vjen nga rradhët e skuadrës suedeze të AFC United.

Leave a Reply