Krivanjeva: Lodhja nuk diskutohet, kur duhet lozur për Shkupin

Besart Krivanjeva rezulton të jetë shtylla e mbrojtjes së FC Shkupit për momentin. 21 vjeçari “bardhekaltërt” po i shfrytëzon në maksimum hapësirat e dhëna nga trajneri Ardian Nuhiu në mungesë të Dimitrija Lazarevskit që është duke vuajtur ende lëndimin.

Krivanjeva në ndeshjen e sotme ndaj Rabotniçkit shkëlqeu në repartin e mbrojtjes së bashku me Sedat Berishën, duke penguar në shumë raste depërtimin e kundërshtarit në zonën e rreptësisë. Ai në një prononcim për ‘infosport’ shprehet i kënaqur me lojën e luajtur me bashkëlojtarët e tij dhe mendon që fitorja ishte më se e merituar.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ekipi kishte raste të mira për të shënuar, por realizuam vetëm dy gola, ku të fundit e shënuam në minutën e fundit. Mendoj që e merituam fitoren dhe shpresoj të vazhdojmë kështu ta luajm lojën tonë dhe rezultat besoj që nuk do të mungojnë”, thotë Krivanjeva për infosport.

Mbrojtësi i Shkupit ishte i vetmi nga kjo skuadër i ftuar në përfaqësuesen U21 të Maqedonisë, me këta të fundit që fituan ndeshjen e parë ndaj Izraelit të luajtur në Jerevan me 5 shtator në kuadër të eliminatoreve për Evropianin 2019. Krivanjeva edhe pse erdhi nga loja me Shpresat e Maqedonisë, nuk ndikoi lodhja që të japë më të mirën në terren ndaj “romantikëve”.

“Lodhjen nuk e vë asnjeherë në diskutim, kur duhet të lozur për Shkupin. Unë jam pjesë e kësaj skuadre dhe gjithmonë do të jem i gatshëm të ndihmojë ekipin kur të jetë nevoja”, përfundon Krivanjeva.

Kujtojmë që Krivanjeva përveç Shkupit, 2 sezone më herët ka luajtur edhe për Metallurgut. / InfOSport.mk

Leave a Reply