Nexhipi nesër zyrtarizohet te Kukësi në postin e drejtorit sportiv

Skuadra kampione e Shqipërisë Kukësi gjatë ditës së nesërme pritet të zyrtarizojë Nderim Nexhipin në rolin e drejtorit të ri sportiv. Ish-futbollisti i FC Shkupit, Rabotniçkit dhe Shkëndijës në Maqedoni, do të jetë këshilltari i parë i presidentit Gjici për afrimet në merkato dhe bashkë do të bëjnë zgjedhjen përfundimtare për trajnerin e ri, për të cilin kanë qarkulluar shumë emra në ditët e fundit. Ndër emrat kandidat ishte edhe tekniku shkupjan, Zekirja Ramadani, ndërsa me shumë gjasa drejtimin e skuadrës nga Verilindja e Shqipërisë do ta marrë një trajner gjerman.

Megjithatë për të konfirmuar një gjë të tillë do të duhet të presim gjatë ditës së nesërme, ose më së voni deri me 3 janar, kur edhe zyrtarisht do të bëhet i ditur emri i trajnerit të ri që do të udhëheq Kukësin në stinorin pranveror.

I njëjti do të udhëheq me fazën e përgatitjeve të skuadrës në Antalia të Turqisë, ku do të qëndrojë nga data 4, deri me 16 janar. Drejtuesit e Kukësit madje kanë caktuar edhe dy miqësoret e para, edhe atë me 8 janar përballë Kajserispor, dhe me 10 janar ndaj Bursasporit, ndërsa po tentohet që të sigurohet edhe kundërshtari i tretë dhe më i bujshmi, Fenerbahçe. Me këtë skuadër Kukësi planifikon të zhvillojë një miqësore luksi me 13 janar në stadiumin “Mardan Palace” të Antalias.

Leave a Reply