Popovski konfirmon transferimin e Asanit te Rabotniçki, flet edhe për Bilalin dhe përforcimet e mundshme

Numri një i Rabotniçkit, Dragan Popovski, në një prononcim për “infOSport.mk” ka konfirmuar transferimin e ish futbollistit të FC Shkupit Bujamin Asani. Shkupjani 29-vjeçar është përforcimi i dytë i skuadrës nga Debar Maalo, pas Miovskit, ndërsa sipas presidentit të “romantikëve” ditëve në vijim do të ketë edhe emra të rinj.

Me Bujamin Asani kemi arritur kontratë 18 mujore. Ai është një futbollistë shumë i mirë, ndërsa besojmë se me të skuadra jonë do të jetë më e fuqishme në krahët e mbrojtjes por edhe në mesfushë. E transferuam atë, pasi menduam se është njeriu i duhur që mund të kontribuojë shumë për skuadrën tonë” – u shpreh Popovski, i cili gjithashtu foli edhe  për përforcimet e mundshme tjera të skuadrës së tyre: “Me siguri se do të ketë edhe emra të rinj, shpresojmë të përforcojmë skuadrën thuajse në të gjitha repartet, mirëpo për momentin nuk mund të them emra, pasi me të gjithë ata futbollistë që dëshirojmë ti transferojmë jemi në bisedime e sipër”.

Në pyetjen tonë lidhur me të ardhmen e Amir Bilalit, Popovski u shpreh: “Bilali ka kontratë edhe 6 muaj me ne. Këtyre ditëve do të ulemi bashkë dhe do i bisedojmë të gjitha gjërat”.

Emri i futbollistit nga Gostivari ishte ndër emrat që thuhej se do të largohej nga rradhët e Rabotniçkit, mirëpo pasi të kundërtën na e konfirmoi ditë më parë vetë futbollisti shqiptarë, tashmë një gjë të tillë bënë edhe numri një i “romantikëve”, Dragan Popovski.

Ndryshe nga Rabotniçki edhe zyrtarisht janë larguar dy futbollistët shqiptarë, Florian Kadriu dhe Emir Sahiti, ndërsa  gjithashtu pjesë e “romantikëve” në sezonin pranveror nuk do të jenë edhe portieri Damjan Shishkovski, armeni Pogosjan dhe Tomislav Iliev, i cili në sezonin e ri do të luaj te Akademia Pandev.

Leave a Reply