Pas Ljamçevskit, Bunjaku ditëve në vijim premton edhe përforcime tjera te FC Shkupi

FC Shkupi sot konfirmoi blerjen e parë të merkatos së janarit. “Pëllumbat” nga Çairi përmes faqes së tyre zyrtare bënë të ditur se kanë angazhuar mesfushorin Bllagoja Ljamçevskin, i cili në Çair vjen nga rradhët e Pelisterit, njofton “infOSport.mk”.

Marrëveshja është nënshkruar në prani të nënkryetarit të klubit Omer Bunjaku, i cili kontratën me Ljamçevskin e nënshkroi në Hotel “Epinal” në Manasitir. Pas nënshkrimit të kontratës Bunjaku për faqen zyrtarë të klubit tha se ky është vetëm fillimi i emrave kampion që do të sjellë këtë afat kalimtar FC Shkupi.

“Jemi duke kërkuar emra që kanë përvojë të madhe dhe që kanë pas vete tituj, kjo do ta bëjë gërshetimin e të rejës me përvojën. Nuk po ngutemi në këtë segment, andaj me secilin futbollist çka po zhvillojmë bisedimet, u kemi treguar planin e madh të Shkupit dhe shpresojmë që së bashku edhe do ta realizojmë. Jemi në rrugë të mirë, por do të na duhet kohë për të bërë ndryshimet”, –  është shprehur Bunjaku.

Karriera e Ljamçevskit e tëra deri më tani është zhvilluar në Maqedoni, ku ka fituar edhe 5 tituj.  30-vjeçari nga Manastiri 3 herë ishte shpallur kampion me Vardarin, ndërsa gjithashtu nga një herë me Metalurgun dhe Makedonija Gjorçe Petrovin kishte fituar Kupën e Maqedonisë. Mbetet të shihet nëse një gjë të tillë do të bëjë edhe me FC Shkupin, skuadër kjo e cila me sponzorin e ri shpreson ti rikthehet famës së vjetër, duke pasur parasysh se numëron 3 tituj kampion dhe tre kupa të fituara nën emrin Sloga Jugomagnat.

Leave a Reply