ZYRTARE, Amir Bilali firmos me Teutën

Amir Bilali vetëm pas 6 muajve sërish do të rikthehet në Superligën shqiptare, njofton “infOSport.mk”. Mbrojtësi nga Gostivari pasditën e së martës ka arritur në Durrës, ku veçmë është prezantuar me fanellën e skuadrës së tij të re, Teutës, me të cilën skuadër vetëm gjatë ditës së sotme do të nënshkruajë kontratën 6 mujore.

Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmoi edhe vetë Bilali, i cili në bisedën me ne, gjithashtu zbuloi edhe emrat e skuadrave tjera të interesuar dhe ajo që shtyu të pranojë ofertën e skuadrës durrësake.

“Po kemi arritur akordin, ndërsa gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht do të nënshkruajë kontratën time që do të jetë valide në 6 muajt e ardhshëm. Kisha edhe disa oferta të tjera, megjithatë vendosa për Teutën, që pranoi kushtet e mia. Bashkë me menaxherët e mi u dakorduam shumë shpejtë me presidencën e Teutës, të cilët më kanë pritur shumë mirë. Fillimisht vendosëm për këtë afat kohor, ndërsa më pastaj nuk i dihet, mund të vazhdojmë sërish bashkë. Puna ime është që të jap më të mirën nga vetja dhe të ndihmojë Teutën, një skuadër kjo me histori në futbollin shqiptarë. Pozita në të cilën ndodhet tani, nuk e meriton kjo skuadër, ashtu që shpresojmë pjesën e dytë të sezonit do të shfaqemi shumë më mirë” – u shpreh nga Durrësi i Shqipërisë, enkas për “infOSport.mk” mbrojtësi, Amir Bilali, për shërbimet e të cilit gjithashtu interesoheshin edhe Kukësi dhe Laçi nga Superliga shqiptare, ndërsa gjithashtu interes kishte shfaqur edhe Shkëndija e Tetovës.

Bilali sot në mbrëmje bashkë me pjesën tjetër të futbollistëve do të nisen për në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra durrësake do të zhvillojë edhe fazën kryesore të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit. Bashkë me të dhe Teutën do të niset edhe futbollisti tjetër nga Maqedonia, Burhan Mustafov, i cili gjithashtu gjatë ditës së sotme pritet të firmos edhe zyrtarisht kontratë me këtë skuadër.

Rikujtojmë ditë më parë skuadrës së trajnerit Stavri Nica, iu bashkua edhe maqedonasi, Bojan Gjorgievski.

Leave a Reply