Nesër zgjedhjet për kreun e FSHF-së, Duka apo Fino?

Federata e futbollit të Shqipërisë është gati për të organizuar Asamblenë e Zgjedhore ku presidenti aktual Armando Duka kërkon mandatin e pestë, ndërsa pritet të përballet me konkurencën e fortë që vjen nga politika në emrin e Bashkim Finos. Në vazhdën e përgatitjeve për Asamblenë Zgjedhore që do të zhvillohet të mërkurën në hotelin “Adriatik” të Durrësit, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një darkë pritëse për të gjithë kandidatët dhe pjesëtarët e Asamblesë Zgjedhore, pak orë përpara fillimit të punimeve të saj.

Nga FSHF njoftojnë se kishin ftuar të gjithë anëtarët e saj, përfshirë këtu edhe kandidatët për postin e presidentit dhe të Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë që në darkë sipas njoftimit do të jenë edhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, vëzhgues për procesin zgjedhor ditën e mërkurë. Sfida zgjedhore ka vazhduar që këtu, me kandidatin për president, Bashkim Finon që në faqen e tij në “Facebook” ka reaguar duke theksuar se nuk ka marrë asnjë ftesë për këtë darkë, duke e konsideruar këtë lajm si një gënjeshtër dhe një manovër dëshpëruese të rivalit të tij.

Mirëpo e menjëhershme ka qenë përgjigja nga FSHF që kanë bërë publik “e-mail”-in e ftesës, që Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku i kishte dërguar kandidatit Fino për darkën e së martës. Kjo ka qenë përballja e radhës mes kandidatëve që ka nisur prej zyrtarizimit të hapjes së fushatës, ndërsa mbase duhet të përfundojë pas Asamblesë Zgjedhore e cila do të vendos nëse Duka do të vazhdojë të drejtojë futbollin shqiptar, apo Fino do të jetë president i ri i FSHF-së.

Leave a Reply