Ndërron jetë legjenda e futbollit anglez

Një lajm i dhimbshëm ka goditur futbollin anglez. Ish-mesfushori i Çelzit dhe kombëtares angelze, Raj Uilkins ka ndërruar jetë në spital në moshën 61-vjeçare.

Uilkins, i cili mbahet mend për karrierën e tij të pasur, teksa ka luajtur edhe me klube si Mançester Junajted, Milan, Glazgou Renxhers dhe Kuins Park Renxhers, ishte shtruar në sitalin “St George” të Londrës, ku po trajtohej pas një sulmi në zemër.

Familja e tij falënderoi shokët dhe kolegët e Rajt, si dhe publikun e gjerë për mesazhet e shumta të ngushëllimit.

Çelzi njoftoi përmes rrjeteve sociale për vdekjen e tij. “ Jemi të shokuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit, kapitenit dhe ndihmës trajnerit tonë. U prehsh në paqe Ray, do të na mungosh përjetë”, vijon mesazhi i klubit londinez.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se Rajmond Kolin Uilkins ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Ai ka lënë pas bashkëshorten Jackie, vajzën Jade dhe djalin Ross, sikurse edhe nipërit e mbesat, Oliver, Frankie, Ava, Freddie, Jake dhe Archie”, ishte njoftimi i familjes së tij, që vijonte edhe me kërkesën për ruajtjen e privatësisë në këtë periudhë të vështirë.

Uilkins punonte së fundi si ekspert televiziv dhe radiofonik. Si lojtar, ai ka fituar FA Kupën me Mançester Junajtedin në vitin 1983, si dhe kampionatin skocez me Ranxhersin në vitin 1989. Ai luajti 84 ndeshje me Anglinë, në 10 prej të cilave ishte edhe kapiten i skuadrës kombëtare.

Leave a Reply