Venger dhe lamtumira e tij emocionuese nga Arsenali, që sot demoloi Bërnlin (VIDEO)

Pas një kohe të gjatë në drejtimin e Arsenalit, Vengeri i thotë “lamtumirë” kësaj skuadre. Ai është pritur me një ceremoni të veçantë në fillimin e takimit të fundit të Arsenalit si vendas ndaj Bërnlit, ndaj së cilës skuadër “topçinjtë” shënuan fitore të thellë 5:0. Me këtë fitore futbollistët londinez, sikur deshën të falënderojnë trajnerin e tyre për kontributin shumë vjeçare për Arsenalin, ndërsa në fund tekniku francez kishte bërë edhe një përshëndetje emocionuese.

“Faleminderit që më lejuat të qëndroja për një kohë kaq shumë të gjatë këtu. Unë e di se nuk ishte e thjeshtë. Megjithatë përpara të gjithave, mund të them se unë jam si ju, një tifoz i Arsenalit. Kjo do të thotë se është më tepër sesa të shohësh thjeshtë futboll, është një mënyrë jete. Unë do të dëshiroja t’ju ftoja për të mbështetur këta futbollistë që kam përballë meje. Ata janë shumë të veçantë jo vetëm për atë që janë në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Ju lutem, ndiqini ata edhe sezonin tjetër sepse e meritojnë. Në fund dua të them se do më mungoni. Faleminderit të gjithëve dhe dua t’ju them se keni qenë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Shpresoj t’ju shoh së shpejti. Mirupafshim”, – ishte dedikimi i lamtumirës që Venger bëri për tifozët e Arsenalit.

Skuadra londineze falë golave të shënuar nga Obamejang (2 gola), Lakazete, Kollashinac dhe Ivobi në fund shënoi një fitore 5:0 ndaj Bërnlit në ndeshjen e fundit të këtij sezoni në “Emirates Stadium”, pasi dy ndeshjet e fundit “topçinjtë” do ti zhvillojnë në transfertë kundër Lester dhe Hadersfilld.

Leave a Reply