Shkëndija e nis me këmbë të mbarë, kadetët fitojnë trofeun e Kupës

Kadetët e Shkëndijës e kanë nsiur me këmbë të mbarë, duke u bërë ekipi i parë nga tabori i “kuqezinjëve” që sjellin në Tetovë Kupën e Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Ata në finalen e madhe të zhvilluar në “Biljani Izvori” mundën ekipin e Pelisterit me rezultatin 5:3.

Të besuarit e trajnerit Berat Imeri e nisën furrishëm ndeshjen, duke shënuar 3 gola të njëpasnjëshëm brenda 30 minutave të para.

Elvir Ramiq shënoi golin e parë në minutën e 6-të, për të dyfishuar atë Albin Ramadani në minutën e 28-të. Nuk zgjati shumë dhe dy minuta më pas Ylber Karimani realizoi golin e tretë për Shkëndijën, ndërsa kur u mendua se “kuqezinjtë” do të arrijnë një fitore të lehtë futbollistët e Pelisterit u rikthyen me dy gola të shpejtë në minutat 42 dhe 43 me autorë Arijan Selmani dhe Filip Boshkovski, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 3:2.

Pjesa e dytë nisi edhe me një gol tjetër të Albin Ramadanit, i cili në minutën e 55-të shënoi për 4:2, teksa shqiptari Arijan Selmani në minutën e 59-të shënoi edhe golin e dytë personal, duke ngushtuar epërsinë e “kuqezinjëve” në 4:3.

Megjithatë ishte kjo e tëra që mundën të bëjnë “Të gjelbrit” nga Manastiri, pasi skuadra “kuqezi” nga Tetova në minutën e 72-të, me anë të Edis Spahiut realizoi edhe golin e 5-të, që u tregua edhe si i fundit për fitoren 5:3 të Shkëndijës.

Ishte kjo finalja e parë që po zhvillojnë nga ekipi zinxhir i Shkëndijës, pasi me fillim në ora 17:00 gjatë ditës së sotme finalen e Kupës do ta zhvillojnë edhe ekipi U19, që për kundërshtarë do të kenë Rabotniçkin, teksa gjatë ditës së nesërme po të njëjtit kundërshtarë do të takohen në kategorinë e pionerëve më të rinj. Me 17 maj pionerët e Shkëndijës do të luajnë kundër Vardarit, teksa ajo kryesore do të zhvillohet me 23 maj në Strumicë midis seniorëve të Shkëndijës dhe Pelisterit.

Leave a Reply