Vazhdon dominimi “kuqezi”, kampion edhe Shkëndija U17

Shkëndija U17 festoi titullin e kampionit në Superligën e Maqedonisë për pionierë. Shpresat “kuqezi” nga Tetova dominuan gjithë kampionatin, por titullin e siguruan vetëm xhiron e fundit, falë fitores 5:2 ndaj Pobedës së Prilepit.

Edhe pse të vetëdishëm se një pikë do tu mjaftonte për të siguruar titullin, djelmoshat e trajnerit Burhan Emrullai në kokë kishin vetëm fitoren me të cilën do të dëshmonin se jo rastësisht dominuan kampionatin.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 20-të kur Ramin Alii realizoi për 1:0, ndërsa Abdylvahit Ajdini në të 32-ën fiksoi rezultatin e pjesës së parë 2:0.

Me të filluar pjesa e dytë Mirlind Dauti (48′) shënoi për 3:0. Miqtë tentuan të kthehen në lojë kur Asan Seferovski në minutën e 53-të shënoi për 3:1, mirëpo “kuqezinjtë” dy minuta më vonë përgjigjen me tjetër gol për 4:1 me anë të Ardit Imerit.

Në minutën e 70-të Agon Elmazi sjell golin e pestë kur ishte i saktë nga penaltia, ndërsa shifrat finale 5:2 i vendosi Bojan Miceski në minutën e 73-të.

Pas 27 xhirove të zhvilluara Shkëndija U17 regjistroi 20 fitore, 3 barazime dhe 4 disfata, duke grumbulluar 63 pikë, 4 më shumë se Makedonija Gjorçe Petrovi i vendit të dytë. Gjenerata U17 e FC Shkupit sezonin 2017/2018 e mbylli në pozitën e 6-të me 35 pikë, Renova u ndal në pozitën e 8-të me 31 pikë, teksa skuadra shqiptare nga Kumanova, Milano këtë edicion e mbylli vetëm në pozitën e fundit me 7 pikë të tubuara.

Leave a Reply