Zherard merr kroatin Katiç te Renxhersi, shqiptari Raça në rolin e menaxherit

Skuadra e njohur skoceze e Gllazgou Renxhers që në sezonin e ri futbollistik do të udhëhiqet nga legjenda e Liverpullit, Stiven Zherard, ka arritur që në rradhët e saj të transferojë qendërmbrojtësin kroat, Nikolla Katiç.

Ky i fundit te Renxhersi transferohet nga rradhët e Slaven Belupo, skuadër kjo e cila nga shitja e tij do të përfitojë 2 milion sterlina. Ndër më të merituarit e këtij transferimi të 21-vjeçarit Katiç, ishte edhe menaxheri shqiptarë, Eljver Raça, që jeton dhe vepron në Kroaci, i cili enkas për portalin tonë tha: “Po, ne jemi një grup që e kemi nën kontratë Nikolla Katiç dhe gjithë së bashku i’a arritëm qëllimit që të kryejmë këtë super transferim. Ndryshe kemi nënshkruar kontratë 4-vjeçare, ndërsa mund të them se të dyja palët jemi të kënaqur. Ne presim shumë në të ardhmen nga Katiç, pasi vërtetë bëhet fjalë për një talent të madh” – ishin fjalët e menaxherit shqiptarë, Eljver Raça enkas për “infOSport.mk”.

Katiç është i lindur në Bosnje e Hercegovinë, mirëpo kishte pranuar të luaj për Kombëtaren e Kroacisë. Ai ishte pjesë e përfaqësueses shpresa, ndërsa gjithashtu ka debutuar edhe me ekipin “A”.

Sezonin e kaluar te Slaven Belupo ishte një ndër futbollistët më standard, duke zhvilluar 34 ndeshje kampionale. Pikërisht paraqitjet e tij bindëse bënë që për shërbimet e tij të interesohen më shumë skuadra, si CSKA dhe Spartak Moska, por që në fund më konkret dolën të jenë ata të Gllazgou Renxhers, që pa dyshim se kanë përfituar një futbollist me vlera.

Leave a Reply