Peru-Danimarkë, njihuni me formacionet, luajnë dy skuadra që nuk humbin prej 15 ndeshjesh

Peruja dhe Danimarka janë dy skuadra që pakkush priste t’i shihte në Botëror, por që tashmë janë pjesë e turneut falë sukseseve në play-off. Danezët kaluan Irlandën në sfidën direkte, ndërsa Peruja mundi pa shumë telashe Zelandën e Re.

PERUJA

Mos e besoni po të doni, por Peruja mban vendin e 11 në renditjen botërore të FIFA-s, edhe pse vjen në Botëror për herë të parë që nga viti 1982. Por festa në këtë vend u përball me shumë polemika për shkak të çështjes se Paolo Guerreros, i cili mund të mungonte në turne për shkak të një dënimi për përdorim susbtancash të palejuara.

Dënimi për 6 muaj u zgjat me një vit, duke e përjashtuar 34-vjeçarin nga turneu, për t’u lejuar më pas nga Gjykata Supreme në Zvicër. Mund të mendoni se ai është shpresa e vetme që ka Peruja për t’u kualifikuar, por gaboheni rëndë, pasi kjo është një skuadër e cila nuk ka humbur asnjë nga 15 ndeshjet e fundit. Ndonëse erdhi në turne nëpërmjet play-off, Rikardo Gracea ka bërë një punë të shkëlqyer për ta kthyer Perunë në një ekip solid.

Skuadra ka disa lojtarë të njohur, me emra si Andre Karijo që luajti me Uotford në sezonin e fundit, apo Xheferson Farfan që ka shëtitur disa ekipe para se të përfundonte te Lokomotiv Moska.

DANIMARKA

Skuadrën e ka rrethuar vazhdimisht pesimizmi pasi nuk u kualifikua në 2 nga 3 turnetë e kaluar. Përfundimi pas krahëve të Poloninë në grupin kualifikues bëri më të vështirë arritjen në turne, por fitoret bindëse ndaj Irlandës në play-off treguan se skuadra e Age Hareide mund të kërkojë diçka më shumë në Rusi.

Ashtu si Peruja, edhe Danimarka ka 15 ndeshje pa humbje, e ndonëse nuk ka mposhtur ndonjë prej emrave të mëdhenj në këtë periudhë kohore, mbetet një ekip që përballon me lojë të hapur këdo. Kristian Eriksen është ylli i skuadrës, me 22 gola e shumë asiste në 78 ndeshje me përfaqësuesen. Atij i shtohen emra si Kjaer, Kristensen, apo edhe emri më i ri i Borusia Dortmund, Tomas Delanei.

FORMACIONET E MUNDSHME

PERSONAZHET

I vetmi dyshim i madh që ka Danimarka për ndeshjen e parë është se kush do të luajë në mbrojtje mes Kristensen dhe Vestergard. Pione Sisto, Jorgensen, Eriksen dhe Poulsen pritet të kenë më shumë hapësira në fazën e avancuar, me Kasper Dolberg të Ajaksit që do të nisë turneun nga stoli, meqë iu bashkua ekipit vetëm pas dëmtimit të Niklas Bendtner.

Sa i përket Perusë, dueli mes Farfan dhe Flores i cili luan për Alborg në Danimarkë, ka qenë tema kryesore e diskutimit rreth zgjedhjes së formacionit. Hurtado i Vitoria Gimaraesh rrezikon ta nisë ndeshjen nga stoli, por padyshim që do të aktivizohet në një moment në këtë sfidë. (vipsport.al)

Leave a Reply