Basketbolli shqiptarë në zi, vdes në një aksident basketbollisti  kosovar, Gazmend Sinani

Në një aksident rrugor që ka ndodhur orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Gjakovë, ka humbur jetën reprezentuesi i Kosovës, Gazmend Sinani.

Me këtë rast Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për këtë ngjarje tragjike, në të cilën përveç tashmë të ndjerit Sinani,  lëndime trupore pësuan edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala.

“Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme”, thuhet në njoftim.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

“Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Leave a Reply