Berat Jakupi i artë në Lojrat Mesdhetare në Taragona

Karateisti shqiptarë, Berat Jakupi, i ka sjellë Maqedonisë edhe një medalje të artë. Gostivarasi fitoi titullin e kampionit në garat Mesdhetare që po mbahen në Taragona të Spanjës, ku doli të jetë më i mirë në kategorinë deri në 84 kilogram, njofton “infOSport.mk”.

Jakupi fillimisht mundi garuesin nga Bosnja e Hercegovina, Meris Muhiviq, për të mundur më pas në çerekfinale italianin Mikele Martini, teksa në gjysmëfinale kaarateisti shqiptarë eliminoi serbin, Dejan Cvrkota.

Pas këtyre tre fitoreve të mëdha Jakupin në finale e priste përballja me francezin Zhesy da Kosta, i cili njëherit ishte edhe kundërshtari më i vështirë, të cilin megjithatë Jakupi arriti që ta mposhtë falë edhe përvojës që ka.

Është ky një paralajmërim i mirë dhe shpresa se Jakupi do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në prag të Olimpiadës “Tokio 2020”, ku shpreson për të siguruar pjesëmarrjen, transmeton “infOSport.mk”.

Për dallim nga Jakupi, karateisti maqedonas, Zharko Arsovski u kurorëzua me medaljen e bronztë. Ai në luftën për vendin e tretë në kategorinë mbi 84 kilogram e mundi italianin, Simone Marino, duke përsëritur kështu suksesin e Nenad Kelebiq, që gjithashtu gjatë ditës së djeshme kishte arritur të fitojë medaljen e bronztë.

Leave a Reply