Shkëndija kërkon të nis me fitore sezonin e ri ndaj Vardarit

Pas ndeshjeve në garat europiane, Shkëndija të shtunën të gjithë vëmendjen do të kthejë në skenën vendore, pasi edhe zyrtarisht hapet sipari për sezonin e ri në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Pas sezonit më të suksesshëm në historinë e klubit, Shkëndija sërish futet me ambicie të njejta për të fituar titullin e kampionit, ndërsa sezonin 2018/2019 do ta nis me ndeshjen kundër rivalit të madh viteve të fundit Vardarit.

Skuadra e trajnerit Qatip Osmani ka punuar në rikuperim pas ndeshjes së lodhshme me Red Bull Salzburgun në kuadër të raundit të tretë eliminator të Ligës së Kampionëve dhe para se të mendohet për takimin e kthimit që në program është me 14 gusht në Shkup, i gjithë përqendrimi shkon për nisje të suksesshme të kampanjës së re në LPFM.

Pozitiv është fakti se ekipi është në formë garuese, pasi tashmë pas vetes ka pesë ndeshje zyrtare në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve, ku ka regjistruar dy fitore, një barazim dhe dy disfata, përfshirë këtu edhe disfatën e fundit ndaj Red Bull Salzburgut (3:0).

Ndërkohë Vardari pasi sezonin e kaluar mbeti 35 pikë prapa Shkëndijës, në Europë qëndroi shkurtë pasi u eliminua që në startin e raundit të parë eliminator të Liga  Europa ku u mund dy herë nga Pjuniku i Armenisë (1:0 në Armeni dhe 2:0 në Shkup). Ndeshja Shkëndija – Vardari nesër në stadiumin e qytetit në Tetovë starton në ora 17:00, ndërsa ashtu siç është bërë zakon ndeshjeve të fundit mes këtyre dy skuadrave, arbitër kryesor do të jetë Aleksandar Stavrev.

Leave a Reply