Futbollistët e Shkëndijës akomodohen në Norvegji

Shkëndija gjatë ditës së djeshme ka udhëtuar drejt Norvegjisë, aty ku të enjten do të zhvillojë ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Liga Europa kundër norvegjezëve të Rosenborgut.

“Kuqezinjtë” kanë lënë vapën e pranishme në Tetovë dhe pas fluturimit tre orë e gjysmë direkt nga Shkupi për në Trondheim janë përballur me ndryshim të madh të temperaturave (14°C).

Kapacitetet hotelerike kanë detyruar skuadrën të vendoset në qytezën Oppdal, ku krahas distancës me vendin ku do të luhet ndeshja, ekipi ka gjetur qetësinë e duhur për të pritur takimin e rëndësishëm.

Stafi teknik për këtë udhëtim ka përfshirë 22 futbollistë, ndërsa në Tetovë kanë mbetur Egzon Bejtullai (tre kartona të verdhë) dhe Alma Vakili (arsye taktike).

Skuadra gjatë ditës së sotme në orën 18:30 do të zhvillojë seancën stërvitore zyrtare në “Lerkendal Stadium”, ndërsa paraprakisht me fillim në ora 18:00 është paraparë konferenca për media.

Ndeshja Rosenborg-Shkëndija zhvillohet të enjten me fillim në ora 20:45.

Leave a Reply