Ademi: Ndaj Vardarit të përsërisim lojën si me Shkëndijën

Ilirid Ademi pa dyshim se edhe sot ndaj Vardarit do të jetë një ndër futbollistët që do të jetë rrezik permanent për portën kundërshtare. Skuadra e tij, Makedonija Gj. P sot do të ketë një transfertë të vështirë përballë nënkampionëve të Vardarit, mirëpo siç e thotë edhe vetë Ademi, nëse skuadra e tij përsërit lojën si nga ndeshja me Shkëndijën, atëherë do të mund të shpresojnë në një rezultat pozitiv.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, ku e dimë se kundërshtari është shumë i fortë. Po nëse luajmë ashtu sikurse në ndeshjen kundër Shkëndijës, besoj se do të marrim edhe një rezultat tjetër pozitiv” – u shpreh fillimisht Ilirid Ademi, sulmuesi i cili te Makedonija Gjorçe Petrovi erdhi këtë merkato të verës nga rradhët e Gostivarit. Ai edicionin e kaluar me Gostivarin në Ligën e Dytë u shpall golashënuesi më i mirë, ndërsa shpreson se në ndeshjen e tretë të edicionit të ri  në Ligën e Parë do të gjejë edhe golin e parë me fanellën e skuadrës së tij të re.

“Normal që çdo futbollistë në ndeshje të këtilla dëshiron të shënoj, prandaj do ishte  pozitive për mua që të shënoj edhe ndaj Vardarit, mirëpo e them prap se më me rëndësi për ekipin është që të dalim të pamposhtur nga kjo ndeshje” – përfundoi Ademi.

Ndeshja ndërmjet Vardarit dhe Makedonija Gj.P zhvillohet në stadiumin “Boris Trajkovski” në Maxhari me fillim në ora 16:30.

Leave a Reply