Wolfsburgu mesazh kundër Racizmit me shiritin e kapitenit

Një simbol, me mijëra kuptime. Shiriti i kapitenit, gjatë viteve është përdorur për të dhënë mesazhe të të gjitha llojeve. Nëse në Serinë A për këtë sezon është vënë një rregull për një shirit të njëjtë që do ta vendosin të 20 kapitenët, tek Wolfsburg në Gjermani duan ta përdorin si mjet për të transmetuar mesazhin se të gjithë jemi të barabartë. Pavarësisht se nuk janë të gjithë dakord.

Klubi gjerman këtë sezon do të përdorë një shirit me ngjyrat e ylberit, për të krijuar një simbol kundër homofobisë dhe për të dërguar një mesazh kundër racizmit.

Që nga grupmosha nën 10 vjeç, e deri tek skuadra e parë, kapitenët e “Ujqërve” do të kenë të njëjtin shirit. Kjo u vu re dhe në ndeshjen kundër Schalkes, ku shiritin e kishte vendosur Josuha Guilavogui.

Megjithatë, po te klubi gjerman, ka persona që nuk e pëlqejnë këtë vendim. Bëhet fjalë për 20-vjecarin Josip Brekalo. Kroati, i cili flitet të jetë një nga talentet më të mëdhenj në Gjermani, ka pëlqyer disa komente në rrjetet sociale të disa tifozëve, që ishin shprehur kundër vendimit.

Kur iu kërkua një sqarim në fund të ndeshjes, lojtari tha se nuk mund ta pranojë këtë iniciativë në 100%, sepse bie në kundërshtim me besimin e tij të krishterë. Gjithsesi, te Wolfsburgu duket se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga ky vendim, pavarësisht çdo kundërshtimi brenda apo jashtë skuadrës.

Leave a Reply