Prekazi: Këta djem e dinë se për Kosovën duhet të japin 120%

Përfaqësuesja U21 e Kosovës, pjesë e së cilës janë edhe Rron Broja i FC Shkupit dhe Leard Sadriu i Shkëndijës së Tetovës, mbrëmë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë ka zhvilluar stërvitjen e fundit para përballjes me Irlandën, që do të luhet sonte po në këtë stadium, në kuadër të grupit 5 të kualifikimeve të Evropianit 2019.

Atmosfera brenda grupit është e mrekullueshme, derisa gjendja dhe forma e futbollistëve është jashtëzakonisht e mirë, me përjashtim të Muharrem Jasharit, i cili ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi në këmbë që e pësoi në fundjavën e kaluar në ndeshjen Gjilani-Trepça’89.

Optimizmi për sukses tek lojtarët është jashtëzakonisht i madh, por ata presin që edhe në ndeshjen e nesërme ta kenë përkrahjen e madhe të tifozëve, të cilët u japin zemër dhe forcë në ndeshje të këtilla ndërkombëtare.

Pas stërvitjes, trajneri Rafet Prekazi u shpreh: “Tash jemi më kualitativ se sa në ndeshjen e parë, por tani edhe Irlanda na njeh më mirë. Edhe pse irlandezët janë një pozitë më lartë në renditje, falë lojërave të mira që kanë bërë kjo gjeneratë, tani çdo kundërshtar ka respekt të madh për ne. Normalisht se në këto kualifikime të gjitha ekipet janë të forta dhe mund të na mposhtin, por për ta bërë këtë do ta kenë mjaft të vështirë, pasi kemi dëshmuar se kemi cilësi dhe kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris se koha po punon për futbollin e Kosovës”, ka thënë Prekazi.

Leave a Reply