48 skuadra për një trofe, Liga Europa nis sonte rrugëtimin

Milan, Çelzi, Arsenal, Lacio dhe Sevilja nisin sot rrugëtimin e tyre në edicionin 2018-2019 që do të kulmojë me finalen që do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit me datë 29 maj të vitit të ardhshëm.

Në orën 18:55 vëmendja më e madhe do të jetë te ndeshja në Selanik, ku mejdanin do të ndajnë PAOK-u dhe Çelzi. Në të njëjtin orar në grupin “H” që konsiderohet edhe si grupi i ferrit Lacio e shqiptarëve në “Olimpiko” do të mirëpret qipriotët e Apollon Limasol.

Viljareal-Renxhers është një tjetër përballje shumë interesante e  mbrëmjes së sotme. Skuadra skoceze që eliminoi skuadrën e FC Shkupit që në raundin e parë eliminatorë të Liga Europa do të tentojë një rezultat pozitiv tashmë edhe me Eros Grezdën në rradhët  e veta. Mbetet për t’u parë nëse legjenda angleze e Liverpullit, Stiven Zherard, që me shumë sukses po udhëheq 56 herë kampionët e Skocisë nës  do ta aktivizojë gjakovarin në këtë ndeshje.

Një përplasje mes futbollistëve shqiptarë do të prodhojë ndeshja midis Genkut dhe Malmos, me Edon Zhegrovën që pritet të jetë titullarë te skuadra belge dhe me Egzon Binakun, anëtarin më të ri të Kombëtares shqiptare, i cili gjithë karrierën e tij e ka ndërtuar në Suedi.

Në orën 21:00 sytë do të jenë te Milani që do të ketë një transfertë të lehtë në letër pasi sfidon surprizën Dudelanzh nga Luksemburgu, që kishte eliminuar Prishtinën. Arsenal-Vorskla është një tjetër takim interesant, ndërsa shumë e fortë parashikohet të jetë edhe ndeshja që do të zhvillohet në Zagreb mes Dinamos vendase dhe turqëve të Fenerbahçes, ku për fat të keq nuk do të kemi mundësinë të shohim një përballje mes dy futbollistëve të përfaqësueses së Maqedonisë, Arijan Ademi-Elif Elmas, pasi futbollisti shqiptarë i skuadrës kroate nuk është i gatshëm për lojë për shkak të një dëmtimi, që e largoi atë edhe nga paraqitjet me përfaqësuesen e Maqedonisë në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve kundër Gjibraltarit dhe Armenisë.

Leave a Reply