Rrezikoi 5 vjet burg, gjykata kroate e “fal” Modricin

Gjykata e Zagrebit ka refuzuar akuzat ndaj kapitenit të Kroacisë dhe yllit të Real Madrid, Luka Modric për dëshmi të rreme gjatë gjyqit për korrupsion që zhvillohet ndaj ish-presidentit të Dinamo Zagreb, Zdravko Mamic. Lajmi është njoftuar të martën nga një media kroate. Gjithsesi vendimi mund të apelohet. Ky vendim vjen vetëm një javë pasi Modric u kurorëzua nga FIFA me çmimin “The Best”, për performancën dhe ecurinë me Real Madrid dhe Kroacinë. Prokurorët kroatë e akuzuan në mars Modric për dëshmi të rreme për evidencat që dha në gjyqin për korrupsion në shuma mega-milionere, ndaj ish-kreut të klubit të Dinamo Zagreb.

Modric dëshmoi në qershor të vitit të kaluar, në lidhje me detajet e transferimit të tij në vitin 2008 nga Dinamo për te Tottenham në Premier League. Nëse Modric do të shpallej fajtor për dëshmi të rreme mund të vuante një dënim deri në 5 vjet burg. Por gjykata kryesore e Zagrebit vendosi të mos e konfirmoi akuzën, si një hap i domosdoshëm, i përcaktuar nga ligji kroat, përpara se të hapet një proces gjyqësor. Referuar raportimeve nga mediat kroate, gjykata e refuzoi me motivin se akuza ndaj futbollistit ishte e parakohshme, pasi pretendimi për dëshmi të rreme nuk mund të paraqitej në gjykatë përpara se të finalizohej gjyqi kryesor ndaj Mamic.

Leave a Reply