Karan: Shkupi një ndër klubet më të mira në Maqedoni, synojmë Europën

Umit Karan prej sot edhe zyrtarisht ka marrë postin e trajnerit te FC Shkupi. Edhe pse nuk ka ndonjë bagazh si trajner, emri i tij është i njohur, sidomos për ato gjenerata pak më të vjetra, kur i njëjti luante futboll aktiv dhe ishte një ndër sulmuesit më të mirë turq, njofton ‘infOSport.mk’.

Ai kulminacionin kishte me Galatasarajin, pjesë e së cilës skuadër ishte për 8 vite (2001-2009), duke regjistruar 170 ndeshje dhe 72 gola. Një kohë të shkurtër ai luajti si i huazuar edhe Ankaraspor, ndërsa karrierën e mbylli te Eskishehirspor, për të cilën skuadër brenda dy viteve të kaluara në 40 ndeshje kishte realizuar 12 gola.

Umit Karan gjithashtu ishte edhe pjesë e kombëtares së Turqisë, për të cilën në 10 ndeshje kishte realizuar 3 gola. Pikërisht si pjesë e kombëtares turke, Karan kishte qenë për herë të fundit në Maqedoni, ku tashmë vjen për të luajtur rolin e trajnerit, te një ndër skuadrat më të mira në vend.

‘Vi te një ndër klubet më të mira në Maqedoni dhe kjo për mua është një kënaqësi e madhe. Shkupi si klub ka shumë potencial dhe besoj se gjithë së bashku do e kalojmë këtë krizë të rezultateve dhe se ekipi në sezonin e ri do të përmbush ambiciet e drejtuesve, ndërsa kuptohet ato janë dalje në Europë’ – tha Umit Karan, i cili është i vetëdijshëm që e pret shumë punë për të bërë dhe për të kthyer skuadrën në binarët e duhur.

‘Në kampionat klubi është në pozitën e fundit, mirëpo neve jemi këtu për të ndryshuar gjërat. Dëshirojmë të ecim para në tabelë dhe me punën tonë që do bëjmë këtu nga futbollistët tanë të nxjerrim reprezentues të ardhshëm. Do të duhet të ndryshojmë shumë gjëra, mirëpo për këtë do na nevojitet ndihma e të gjithëve, përfshirë këtu edhe juve gazetarëve, pasi së bashku mund të arrijmë suksese. Duam që Shkupi të bëhet brend, mirëpo vetë një gjë të tillë nuk mund ta arrijmë. Shumica prej jush do pyesni se pse Umit Karan është këtu, neve kemi një projekt të madh, mirëpo ne jemi vetëm një pjesë e atij projekti që dëshirojmë të bëjmë më të mirën. Shpresoj në ndihmën e të gjithëve dhe se në fund gjithë së bashku do i’a arrijmë qëllimit’ – deklaroi Karan.

Ky është testi i parë më serioz si trajner për sulmuesin e njohur turk Umit Karan, i cili kështu bëhet trajneri i tretë që do të udhëheq FC Shkupin në këtë fillim sezoni. Skuadra nga Çairi e nisi sezonin me Zekirja Ramadanin, i cili u shkarkua pas eliminimit nga Kupa e Maqedonisë që në raundin e parë, për të vijuar nga xhiroja e katërt me turkun Hajati Sojdash, nën drejtimin e të cilit FC Shkupi regjitsroi vetëm një fitore ndaj Makedonija Gj.P, ndërsa pësoi 4 disfata.

Umit Karan në bankinën e FC Shkupit do të debutojë të shtunën në Çair në ndeshjen e javës së 9-të kundër Rabotniçkit.

Leave a Reply