Futsal Shkupi nuk ka të ndalur, 4 ndeshje, 4 fitore

Futsal Shkupi ka shënuar edhe fitoren e katërt nga po aq ndeshje të zhvilluara sezonin e ri në elitën e futsalit vendor, duke konfirmuar formën e mirë,  por njëkohësisht edhe sulmin drejt titullit kampion, njofton “infOSport.mk”.

Të përzgjedhurit e trajnerit Lekiq sot në transfertë mundën ekipin e Kratovës me rezultatin 6:3. Ndeshja nuk nisi mirë për “bardhekaltërit” nga Çairi, pasi Dragan Stefanov kaloi në epërsi Kratovën në minutën e 13-të.

Nuk vonoi shumë dhe Futsal Shkupi vetëm dy minuta më pas barazoi shifrat në 1:1 me anë të Ivan Sotirovskit.

Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa vetëm pas dy minutuave lojë në pjesën e dytë Goran Arsosvki edhe për herë të dytë kaloi në epërsi ekipin vendas të Kratovës. Nikolla Dimovski në minutën e 23-të barazoi shifrat në 2:2, ndërsa vetëm një minutë më pas Ivan Sotirovski shënoi edhe golin e tretë për Futsal Shkupin, duke kaluar për herë të parë në epërsi skuadrën shkupjane. Mirëpo kjo epërsi nuk zgjati shumë, pasi Kratova me anë të Dragan Arsovskit shënoi për barazim të rezultatit (3:3).

Mirëpo ishte kjo gjithçka që arritën të bëjnë vendasit në këtë ndeshje, pasi në minutat në vazhdim ishte Futsal Shkupi që dominoi në tërësi ndeshjen, kur edhe bëri diferencën duke shënuar tre gola të njëpasnjëshëm.

Ivan Sotirovski në minutën e 26-të rrumbullaksoi “hat-trikun” e tij në këtë ndeshje, duke shënuar për 3:4, ndërsa Erkan Shabani në minutën e 29-të shënoi edhe golin e 5-të për Futsal Shkupin. Për talentin 20-vjeçar ishte ky goli debutues me fanellën “bardhekaltër”, ndërsa rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Kratova 3, Futsal Shkupi 6 e vendosi Bejtulla Jakupi në minutën e 30-të.

Futsal Shkupi me 12 pikë udhëheq bindshëm renditjen tabelare, ndërsa seria e “bardhekaltërve” pritet të vazhdojë edhe javën tjetër kur si vendas do të mirëpresin ekipin e Zhelezarecit.

Leave a Reply