Tronditet PSZH-ja, mund të përjashtohet nga Liga e Kampionëve

Një tërmet i ri mund të përfshijë botën e futbollit. Skandali i radhës mund të fundosë PSZH-në, që, sipas “Der Spiegel”, ka marrë një financim të parregullt nga qeveria e Katarit prej 1 miliard e 800 milionë euro, duke shkelur rregullat e ‘Fair Play-it’ financiar.

Në këtë pikë, klubi francez rrezikon përjashtimin nga Liga e Kampionëve dhe të humbasë dyshen Mbape-Nejmar. Në këtë skandal janë të përfshirë presidenti i FIFA-s, Infantino, Mishel Platini dhe presidenti i PSZH-së, Al-Khelaifi, bashkë me krahun e djathtë të këtij të fundit, Blank.

Dokumentacioni i publikuar nga gazeta gjermane ka zbuluar se Infantino dhe Platini, në vitin 2012-të, kanë miratuar marrëveshjen ekonomike mes klubit francez dhe Katarit, pavarësisht se ka qenë kundër rregullave të ‘Fair Play-it’ financiar.

Madje, Platini ka reduktuar gjobën (60 milionë euro) për shkak të zemërimit të pronarit të PSZH-së, ndërsa Infantino e ka lejuar klubin të përfshijë në bilancet e mëparshme një pjesë të kontratës së nënshkruar me Ministrin e Turizmit të Katarit në sezonin 2013-14, siç bëri edhe Mançester Siti.

Leave a Reply