“Superklasiko” e parë mbyllet pa fitues

Me 23 orë vonesë për shkak të reshjeve të shiut që përmbytën “La Bombonera-n” në Buenos Aires, por Superclasico-ja argjentinase nuk zhgënjeu aspak pritshmëritë e miliona tifozëve në mbarë botën.

Boca Juniors dhe River Plate dhuruan spektakël, grintë dhe emocione pa fund dhe plot 4 gola në sfidën e parë finale të Kupës së Libertadores, e cila përfundoi në barazim 2-2.

“Gjenovezët” kaluan të parët në avantazh, në minutën e 34-t, kur qendërsulmuesi Abila bëri gjithçka mirë dhe gjuajti dy herë radhazi, fort drejt portës, por nëse në rastin e parë portieri i Riverit grushtoi, herën e dytë pa që topi t’i ndalej në rrjetë.

Riveri reagoi menjëherë dhe sapo nisi topin nga qendra, organizoi një sulm të shpejtë, që gjeti “të dehur” nga goli mbrojtësit e Boca-s dhe Pratto bëri detyrën duke rikthyer sërish baraspeshën.

Gjithsesi vendasit nuk mund të pajtoheshin me barazimin dhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, gjetën golin e dytë, këtë herë me anë të Benedettos, që devijoi me kokë një top të ardhur nga goditja standarde.

“Los Millionarios” rikthyen sërish baraspeshën në minutën e 61-të, teksa pas ekzekutimit të një faulli, ishte mbrojtësi i Bocas, Izquierdos, që devijoi në mënyrë të pafat një top në rrjetën e portës së tij, duke çuar rezultatin në 2-2.

Në minutat në vijim, ishte Boca Juniors që pati iniciativën, duke kërkuar që të fitojë sfidën e parë, për të shkuar më pas e avantazhuar në ndeshjen e kthimit, por tentativat e Tevez me shokë, nuk arritën të konkretizohen me gol.

Rasti më i mirë për Boca-n, që të shënojë golin e fitores, ishte në minutën e 90’, kur Carlos Tevez mori një top mjaft të bukur, u fut në zonë dhe shërbeu për Benedetton, por ky i fundit nuk arriti të shënojë, ndonëse ishte i vetëm me portierin kundërshtar.

Vërshëllima e trefishtë e arbitrit kryesor të takimit, la në fuqi rezultatin e barabartë 2-2, ndërsa kampioni i Kupës së Libertadores do të shpallet më datën 24 Nëntor, në sfidën e kthimit që do të luhet në stadiumin “Monumental”.

Edhe këtë takim, ashtu si sot, do të keni mundësi ta ndiqni në ekranin sportiv të të gjithë shqiptarëve, Supersport, si një tjetër dhuratë që DigitAlb sjell për të gjithë abonentët e tij.

Leave a Reply