Shkupi me 10 futbollistë nxorri një barazim nga transferta në Gjorçe Petrov (VIDEO)

FC Shkupi edhe përkundër faktit se tërë 45 minutat e pjesës së dytë i luajti me një futbollistë më pak në fushë, nga udhëtimi në Gjorçe Petrov u kthye me një pikë, pasi në fund barazoi ndaj Makedonija GJ.P me rezultatin 2:2, njofton ‘infOSport.mk’. Skuadra nga Çairi ishte shumë pranë tre pikëve të plota, mirëpo një euro gol i shënuar nga ana e brazilianit Robson da Silva në minutën e 87-të, bëri që ndeshja të mbyllet me barazim dhe ndarje të pikëve.

Ndryshe të parët që avansuan në këtë ndeshje ishin vendasit, edhe atë falë një goli të shënuar nga pika e bardhë. Hristijan Kirovski përfitoi një duel me Amir Bilalin brenda zonës së rrezikut, ndërsa i saktë nga pika e bardhë ishte kapiteni Bobi Bozhinovski, që në ato momente shënoi për 1:0.

Megjithatë nuk vonoi shumë dhe FC Shkupi u kundërpërgjigjë me këtë perlë të Viktor Angellov, i cili në minutën e 19-të solli simetri në rezultat.

Ishte ky një ndër golat më të bukur të kësaj jave, që paralajmëroi edhe golin e dytë të skuadrës nga Çairi në minutën e 24-të.

Mesfushori Braxh me një parabolë gjeti në thellësi sulmuesin e talentuar Suhel Muharemin, i cili në të njëjtën mënyrë (me parabolë) arriti që të mposhtë portierin Marko Jovanovski edhe për herë të dytë në këtë ndeshje.

Pak para përfundimit të pjesës së parë, nigeriani i FC Shkupit, Zango u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke shkaktuar edhe një penalti tjetër për vendasit, të cilën kësaj rradhe Bobi Bozhinovski nuk arriti që ta shndërrojë në gol.

Super goli i Robson që i mohoi fitoren FC Shkupit

Super goli i Robson që i mohoi fitoren FC Shkupit MAKEDONIJA GJ.P – FC SHKUPI 2:2

Публикувахте от infosport.mk в Четвъртък, 22 ноември 2018 г.

Megjithatë atë që nuk bëri kapiteni i vendasve, e bëri braziliani Robson da Silva, i cili në minutën e 87-të shënoi një super gol për barazim të rezultatit në 2:2. Ai mashtroi dy futbollistë kundërshtarë, edhe pse shumë pak mungonte që ti pengonte arbitri Barton në momentin e goditjes, që në fund rezultoi e kobshme për portierin Aleksovski, që vetëm me shikim e përcolli në rrjetën e tij.

Në fund barazim 2:2 dhe rikthim të FC Shkupit në zonën e rrezikshme.

Leave a Reply