Strategu nga Prizreni gati të marrë drejtimin e Bellasicës!

Bellasica rikthimin në elitën e futbollit vendor e nisi me ambicie shumë të mëdha, mirëpo fundi doli të jetë i dështuar për skuadrën nga Strumica, pavarësisht se pas vetes kishte një sponzor të fuqishëm. Rikthimin në mesin e më të mirëve kjo skuadër e arriti me Rade Cicmiloviç në krye, mirëpo ky i fundit vetëm dy javë para nisjes së sezonit të ri dha dorëheqje nga posti i trajnerit, ndërsa vendin e tij e morri Marjan Zhivkoviç.

Strategu serb nuk e nisi mirë pasi në 5 ndeshjet e para regjistroi vetëm dy barazime dhe 3 disfata, ndërsa skuadra nga Strumica u këndell vetëm pas javës së 6-të, kur drejtuesit e klubit bënë edhe disa përforcime cilësore. Nga ajo fitore me Renovën në Tetovë, Bellasica morri edhe tre fitore të tjera, duke mos njohur disfatën për 6 javë me rradhë, mirëpo vetëm një fitore në 8 ndeshjet e fundit bënë që Zhivkoviç të shkarkohet nga ana e drejtuesve të Bellasicës, të cilët tashmë janë në kërkim të trajnerit të ri.

Në mesin e emrave që mund të zëvendësojnë strategun serb janë edhe Gjoko Haxhievski, një emër i njohur ky për futbollin në Maqedoni, ndërsa një tjetër kandidatë serioz është edhe strategu nga Prizreni, Naxhi Shensoj, i cili në Maqedoni më herët kishte drejtuar Pelisterin.

Nën drejtimin e tij Pelisteri sezonin 2016/2017 triumfoi në Kupën e Maqedonisë, duke mundur në finalen e madhe Shkëndijën dhe duke rikthyer një trofe në Manastir pas plotë 16 viteve.

Shensoj gjatë karrierës së tij përveç në futbollin kosovar, kishte drejtuar edhe Bylisin dhe Kukësin në Superligën shqiptare.

Leave a Reply