Liverpull-Arsenal, super ndeshja e fundvitit

E shtuna e fundit për këtë vit në futbollin europian, dhuron super ndeshjen e Premierligës midis Liverpullit të Xherdan Shaqirit dhe Arsenalit të Granit Xhakës dhe Shkodran Mustafit.

Dy prej skuadrave me histori të madhe në futbollin anglez, që gjithmonë kanë luajtur futboll të bukur dhe spektakolar, pritet të dhurojnë emocione edhe kësaj here.

Sigurisht, favoritë kryesorë janë “redsat”, të cilët në 19 ndeshjet e deritanishme nuk kanë pësuar asnjë disfatë, teksa në 8 ndeshjet e fundit kanë regjistruar po aq fitore, duke konfirmuar formën e tyre të mirë.

Nga ana tjetër, “topçinjtë” nuk po kalojnë periudhën më të mirë, ku në 3 sfidat e fundit kanë fituar vetëm një ndeshje.

Ekipi i Jurgen Klop aktualisht ndohet në pozitën e parë me 51 pikë, 6 më shumë se ndjekësi më i afërt, Totenhami, ndërsa e gjithë kjo ka bërë që tifozët të fillojnë të ëndërrojnë që tani për kthimin e titullit kampion në “Enfilld Roud”. Nga ana tjetër, Arsenali gjendet në vendin e 5-të në Premierligë, dy pikë larg Çelzit të vendit të katërt, me kualifikimin në Ligën e Kampionëve që duket synimi kryesor i klubit për këtë sezon.

Në 10 ndeshjet e fundit mes skuadrave, londinezët kanë fituar vetëm 1 herë, Liverpull ka dalë triumfues 5 herë, ndërkohë që 4 sfida janë mbyllur në barazim.

Mbetet për t’u parë nëse “redsat” do të arrijnë të vazhdojnë serinë e rezultateve pozitive në Premierligë, ose Arsenal do të jetë ekipi që do të arrijë të thyejë për herë të parë kryesuesit e kampionatit. Përgjigjen përfundimtare do ta marrim vetëm pas përfundimit të këtij takimi që starton në ora 18:30.

Leave a Reply