Mario Balotelli largohet nga Nice, por jo edhe nga Franca

Mario Balotelli dhe Nice do të ndahen. Pas dy vitesh e gjysmë, sulmuesi 28-vjeçar italian po përgatit valixhet, edhe pse udhëtimi nuk do të jetë i gjatë. E ardhmja e tij do të mbetet Franca, më konkretisht skuadra e Olimpik Marsejës.

Sipas mediave franceze, Balotelli është fare afër “divorcit” me Nice, ku marrëdhëniet me klubin dhe stafin teknik tani janë bërë të parikuperueshme.

Muajve të fundit ka qenë vetë presidenti Riviere, që kishte bërë të qartë se nuk do të rinovonte kontratën me Balotellin, kontratë kjo që i mbaron në qershor.

Duke pasur parasysh edhe raportet e këqija që ka me trajnerin Vieira, Balotelli tashmë pritet të bëjë atë që nuk e bëri verën e kaluar, kur ishte shumë pranë transferimit te Olimpiku i Marsejës.

Këtë edicion me Nice Balotelli ka zhvilluar 10 ndeshje, mirëpo duke mos arritur të shënojë dot asnjë gol. Megjithatë 18 golat e sezonit të kaluar bëjnë që Marseja ti ofrojë atij mundësinë e një ‘restarti’, për më tepër që këtë edicion te skuadra nga Velodrome nuk janë të kënaqur aspak me dy sulmuesit e tyre, grekun Mitroglu dhe francezin Zhermon.

Leave a Reply