Maqedonia fiton për Pandevin! Shkëlqen Elif Elmaz, shënon edhe Alioski (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll e ka nisur me këmbë të mbarë ciklin eliminatorë për Kampionatin Europian të vitit 2020, duke mundur Letoninë në Shkup me rezultatin 3:1, njofton “infOSport.mk”.

Në këtë ndeshje te “verdhekuqtë” shkëlqeu Elif Elmaz, që realizoi dy gola, ndërsa një gol tjetër realizoi edhe futbollisti shqiptarë, Ezgjan Alioski.

Pikërisht ky i fundit shënoi edhe golin e parë të këtij takimi në minutën e 11-të, kur pasimin e Goran Pandev e shfrytëzoi në maksimum dhe me të majtën e tij të fuqishme arriti që të shënojë në rrjetën e Vanins për 1:0.

Goli i dytë erdhi në minutën e 29-të, me autorë Elif Elmaz, i cili vetëm 6 minuta më parë kishte zëvendësuar Ferhan Hasanin. Elmaz përfitoi nga një devijim i topit të mbrojtësve mysafir, dhe nga afërsia arriti që të tund edhe për herë të dytë rrjetën e letonezëve.

Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën u shënuan edhe dy gola të tjerë, mirëpo kësaj rradhe nga një në secilën portë. Maqedonia dominonte lojën edhe në këtë pjesë, mirëpo një autogol i Dare Velkovskit në minutën e 87-të, për një çast ju dha shpresa letonezëve, mirëpo që shumë shpejti i shuajti sërish Elif Elmaz me një super lëvizje dhe super gol në minutën e 3-të shtesë, kur me të djathtën e tij shënoi një super gol.

Kjo fitore solli shumë gëzim në mesin e futbollistëve të përfaqësueses së Maqedonisë, e në veçanti të kapitenit Goran Pandev, i cili në ndeshjen ndaj Letonisë regjistroi paraqitjen e tij të 100-të jubilare me fanellën “verdhekuq”, ndërsa i njëjti me këtë rast para fillimit të ndeshjes pranoi një fanellë speciale me numrin 100 nga ana e presidentit të ri të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini.

Leave a Reply