Ndeshja Mali i Zi – Kosovë, luhet pa tifozë!

Ndeshja ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, e vlefshme për grupin “A” eliminatorë të “Euro 2020” që në program do të jetë në muajin qershor, mund të luhet pa praninë e shikueseve, pasi UEFA ka gjasa të dënojë malazezët për shkak thirrjeve raciste në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Anglisë.

Edhe pse pritet që stadiumi të jetë i stërmbushur me malazezë e shqiptarë, por edhe me serbë nacionalistë që jetojnë në Mal të Zi, kjo ndeshje mund të luhet pa praninë e publikut.

Në fakt, tifozët malazezë kanë bërë thirrje raciste ndaj futbollistëve me ngjyrë anglezë, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në Podgoricë, aty ku “Albioni Krenar”  shënoi fitore me rezultatin 5:1.

Për këtë rast ka hapur hetim UEFA dhe malazezët i pret një dënim ose gjobë për këto thirrje.

Sipas mediave të huaja, njëri prej dënimeve që mund ta marrë Federata malazeze e Futbollit është që ndeshjen e ardhshme, atë kundër Kosvës me 7 qershor,  përfaqësuesja e këtij vendi, ta zhvillojë pa praninë e shikuesve.

Rikujtojmë në tetor të vitit të kaluar, Rumania ishte detyruar ta luante ndeshjen pa shikues për shkak të thirrjeve raciste gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Serbisë, ku tifozët kishin shpalosur slogane diskriminuese kundër hungarezëve, ndërsa gjithashtu kishin shfaqur edhe një baner ku i linçonin refugjatët me terrorizëm dhe kishin kënduar këngë mbështetëse për Serbinë kundër Kosovës.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i UEFA-s, që çdoherë është shumë rigoroze, kur është në pyetje racizmi nëpër ndeshjet e futbollit europian.

Leave a Reply