Iu dha lamtumira e fundit futbollistes 24-vjeçare, Florijana Ismaili

Ceremonia lamtumirëse e ndarjes nga jeta të futbollistes shqiptare Florijana Ismaili, e cila humbi jetën 10 ditë më parë në liqenin e Komos në Itali, është zhvilluar sot në një sallë sportesh në Ëorben të Kantonit të  Bernës.

Në këtë ceremoni të organizuar nga Federata e Futbollit e Zvicrës morrën pjesë rreth 500 veta, transmeton “albinfo.ch”.

Në mesin e tyre ishin edhe bashkëlojtaret e Florijanës, të cilat kishin veshur fanellat eKombëtares së Zvicrës,  në shenjë kujtimi për lojtaren e ndjerë shqiptare, e cila mbronte ngjyrat e Kombëtares së Zvicrës.

Fjalim rasti në këtë ceremoni mortore mbajtën disa nga familjarët e saj, miq si dhe personalitete të ndryshme.

“Është e vështirë të gjenden fjalët për atë që ka ndodhur. Por, për Florijanën si njeri nuk është e vështirë: ajo ka qenë një vajzë e qeshur, tolerante, e gatshme për të ndihmuar. Ka qenë një shembull, model. Të dashur prindër, ju mund të jeni me të vërtetë krenarë me të” – tha njëri nga përfaqësuesit e Federatës së Futbollit zviceran.

Ceremonia sipas ritit islam u mbajt nën drejtimin e një imami, ndërsa vetë varrimi u bë më pas në praninë e një rrethi të ngushtë familjar.

Leave a Reply